Nga Floridona Ademaj
Aeroporti i Kukësit, i pagëzuar me emrin “Zayed – Flatrat e Veriut”, është hapur zyrtarisht duke u kthyer në hapësirën e dytë fluturuese ndërkombëtare në Shqipëri.
Pasagjerët e parë, mes të cilëve ishte dhe kryeministri Rama, janë pritur me një ceremoni festive organizuar nga Qeveria, shtatë ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, event ky i cilësuar si promovim fushate nga partitë opozitare.
Kamera jonë ka ndjekur punimet përpara inaugurimit, ndërsa ne kemi biseduar më herët dhe me kryeinxhinierin i cili na rinkonfirmoi cilësinë e punimeve në këtë projekt ambicioz. Gjithashtu Kryeinxhinieri na tregoi se ulja e shumëpërfolur pa prekur pistën ndodhi për shkak se ajo nuk ishte ende gati për të pritur një avion.
Aeroporti i Kukësit, me një kapacitet prej rreth 350 mijë pasagjerësh në vite pritet të ketë një ndikim në ekonominë lokale. Sokol Kolgjini sipërmarrës në qytetin e Kukësit tregon se si ky projekt do ndikojë tek qytetarët e Kukësit. “Efekti që do ketë në ekonomi është gjallërimi i gjithë zinxhirit të furnizimit të gjithçkaje që lidhet me aeroportin. Do ketë lëvizje të njerëzve ku njerëzit do kenë nevojë për shërbime qe vënë funksion një zinxhir galopant.”, shprehet ai.
Z. Kolgjini vë në dukje dy aspekte kryesore të funksionimit të aeroportit: “E para, të shërbejë vetëm për një kategori njerëzish që kanë nevojë siç janë pasagjerët dhe së dyti të shërbejë si biznes normal brenda rregullave të biznesit. Hapja e aeroportit është thjeshtë akt ndërsa pjesa tjetër është një proces.”
Pavarësisht inaugurimit, ende nuk dihet se kur do të fillojnë fluturimet për qytetarët nga Aeroporti i Kukësit. Ministria e infrastrukturës dhe energjisë nuk i është përgjigjur një kërkesë për informacion mbi këtë çështje dhe as pyetjes rreth destinacioneve të para drejt të cilave do të fluturohet. Duket se pavarësisht përurimit përgjatë fushatës, qytetarët do të duhet të presin edhe pak kohë përpara përdorimit të tij.