Një grup pedagogësh të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit (DGK) të Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me kolegët e tyre në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës (UAMD), zhvilluan një takim me studentë të degës së komunikimit në këtë universitet. Qëllimi ishte promovimi i projektit Fakespotting Eramus+, ku DGK është pjesëtar dhe kontribuues.
Pedagogët Rrapo Zguri, Ervin Goci, Elvin Luku dhe Erblin Jaku u mikpritën nga pedagoget e UAMD Viorela Polena dhe Lorena Licenji dhe zhvilluan një prezantim e më tej një bashkëbisedim me studentët. Në këtë takim u trajtuan specifikisht llojet e manipulimit në komunikimet publike, të cilat tërhoqën interesin e studentëve, të cilët bënë edhe pyetje dhe komente. Gjithashtu, u trajtuan tema si përdorimi i mediave sociale e konkretisht TikTok-ut në fushatat dezinformuese si dhe u sollën këndvështrime të pedagogëve për perceptimet publike të të rinjve për dezinformimin.
Valët e dezinformimit dhe lajmet e rreme si në mediat tradicionale dhe sidomos në mediat sociale online, janë tashmë një realitet i hidhur. Ky fenomen në komunikimet publike, shtrembëron perceptimet e shoqërive dhe ndikon në mënyrën sesi këto shoqëri e aplikojnë demokracinë. Nisur nga kjo, një grup universitetesh nga gjashtë vende evropiane dhe organizatash nën drejtimin e Universitetit të Bolonjës në Itali, nisi tre vite më parë projektin Fakespotting Eramus+, ku bën pjesë edhe Universiteti i Tiranës përmes Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.
Në këtë kuadër, e gjithë trupa akademike e DGK ka dhënë kontributet kërkimore dhe shkencore, në përgatitjen e moduleve prezantuese dhe botimeve shkencore. Brenda vitit 2023, të gjitha produktet e këtij projekti do të publikohen online në një platformë të hapur për publikun (e cila do të ketë edhe versionin e saj në gjuhën shqipe).
Për më shumë informacion për projektin Fakespotting Eramus+, vizitoni:
https://site.unibo.it/fakespotting-project/en