Master Profesional Gazetari Investigative

Njoftimi dhe thirrja per rregjistrime ne Masterin Profesional ne Gazetari Investigative

Programi “Master profesional” në “Gazetari Investigative” është projektuar t’u ofrojë studentëve një formim intelektual dhe profesional, duke parashtruar një shumëllojshmëri konceptuale dhe perspektive në fushën e medias, specifikisht në gazetarinë investigative.

Në kushtet kur gazetaria investigative në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri u është ofruar deri tani studentëve thjesht si një lëndë të vetme, kryesisht në nivelin e parë të studimeve, hapja e një programi Masteri Profesional në këtë fushë do t’u ofrojë atyre njohuri dhe praktikë të thelluar në investigimet në gazetari.

Programi “Master profesional” në “Gazetari Investigative” do të organizohet përmes gërshetimit të komponentëve teorikë me ata praktikë, duke bashkuar eksperiencat e stafeve akademike me ekspertët më të njohur të medias dhe gazetarisë në Shqipëri.

Ky program është mbështetur edhe në përvojën e Departamentit të Gazetarisë të De Monford University, në Mbretërinë e Bashkuar, përvojë e realizuar përmes bashkëpunimit që kemi pasur gjatë këtij viti me përfaqësuesit e këtij departamenti Dr. Richard Dunbery dhe Dr. Perves Khan. Ky bashkëpunim u realizua me mbështetjen e projektit “Drejtësi për të gjithë” USAID dhe Ambasadës së Mbretësrisë së Bashkuar. Si rezultat i këtij bashkëpunimi dy ekspertët britanikë kanë asistuar në gjithë procesin e hartimit të kurrikulës. Është rënë dakort që për pjesën në vazhdim të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes dy universiteteve dhe dy departamenteve i cili do të krijojë mundësi për një bashkëpunim afatgjatë edhe në procesin e realizimit të kurrikulës.

Ky program studimi synon të përfshijë studentët në një bashkëpunim të ngushtë midis eksperiencës shumëvjeçare të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe mediave kryesore më të rëndësishme në Shqipëri, ku nën kujdesin e disa prej emrave më të njohur të gazetarisë shqiptare, ata do të përfitojnë dhe zhvillojnë aftësitë praktike për investigime të thelluara, të mbështetura në parimet e etikës profesionale.

Një nga qëllimet kryesore të programit “Master profesional” në “Gazetari Investigative” është që të rrisë perspektivën individuale të avancimit të karrierës përmes njohurive se si të zbatohen të mësuarit akademik në praktikën më të mirë të investigimit në gazetari.

Programi ofron mësimin e teknikave kryesore të investigimit, me një vëmendje të veçantë tek parimet e gazetarisë investigative, etika e investigimit dhe siguria e gazetarëve, gazetaria investigative dhe fuqizimi i qytetarit, gazetaria e të dhënave, investigimi online, mbrojtja e burimeve, investigimi i ekonomisë formale dhe jo formale, gazetaria financiare, pushteti gjyqësor dhe krimi, etj.

Në këtë programi studimi, studentët pritet të marrin në dorë kontrollin dhe menaxhimin e të mësuarit të tyre. Kjo përfshin identifikimin e fushave ku ata kanë nevojë  më shumë për ndihmë, duke bashkëpunuar ngushtë me stafin mësimor.

Këto njohuri do të grupohen në katër module kryesore, ku secili prej tyre do të finalizohet me një projekt final në formë produksioni në llojet e ndryshme të medias.

Kursi përfshin një larmi metodash mësimdhënieje dhe të mësuari. Elementet praktikë të kursit në përgjithësi do të jenë të bazuara në workshop-e. Programi përfshin gjithashtu edhe eksperiencat e studentëve në produksione  në TV & Radio,  shtyp, vizita në mjedise mediatike, angazhim individual dhe në grupe të vogla, punë në projekt, klinika investigimi, etj.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm në realizimin e këtij programi studimi do të jenë edhe diskutimet me akademikë dhe gazetarë të njohur medias, të cilët do t’i ndihmojnë studentët të zhvillojnë rrjetin e kontakteve.

Ditët e lajmeve janë një tjetër element i rëndësishëm i këtij programi, të cilat do të përfshijnë prezantime të studentëve me lajme, përmes të cilave synohet të krijohet një ambient dhe ethosi i një redaksie profesionale me gjithçka që kërkohet.

Në përfundim të programit të studimit, studentët do të realizojnë projektin e tyre final, i cili në përmbajtje do të jetë një punim investigativ gazetaresk i zgjeruar.

Misioni i programit

Misioni i programit “Master profesional” në “Gazetari Investigative” është konceptuar në harmoni të plotë me misionin e përgjithshëm të Universitetit të Tiranës, me standardet ndërkombëtare, si edhe në veçanti me risitë që synon të sjellë ky institucion në vendin tonë dhe më gjerë.

Misioni i departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në programin “Master profesional në gazetari investigative” “është përgatitja e gazetarëve profesionistë investigativë, në përgjigje të dinamikave dhe nevojave të tregut, përmes një filozofie bashkëkohore që ka në thelb vlerat universale”. Shtyllat mbi të cilat mbështetet misioni ynë janë mësimdhënia cilësore, kërkimi shkencor i avancuar dhe kontributi profesional dhe human për shoqërinë, larg qasjeve ideologjike dhe propagandës.

Vizioni i programit

Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, përmes programit “Master profesional në Gazetari Investigative” do të sjellë risi në mënyrën e aftësimit dhe të  përgatitjes së studentëve nëpërmjet një gërshetimi të mirë-organizuar të anës teorike me praktikën në kushte dhe mundësi fizike bashkëkohore.

Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit do të sjellë risi profesionale për t’i ofruar tregut të medias dhe komunikimit profesionistë të aftë dhe të pajisur me njohuritë më të përditësuara jo vetëm nga ana teorike, por me një vëmendje të veçantë në aspektet praktike dhe analitike për zhvillimin sa më profesional të gazetarisë investigative.

Objektivat dhe kompetencat profesionale të programit

Duke paraqitur para studentëve programe të kompletuara me të gjitha njohuritë e nevojshme për një përgatitje sa më të plotë profesionale në fushën e gazetarisë investigative, departamenti qëndron fort në misionin e tij për të përgatitur profesionistë të aftë në respektimin e deontologjisë dhe etikës profesionale, në analizën e thelluar të fakteve dhe të situatave të ndryshme, e cila synohet që të arrihen edhe nëpërmjet përfitimit nga ana e studentëve të një kulture të gjerë pluraliste, bashkëkohore mbi mënyrën e mendimit dhe konceptimit të situatave dhe ngjarjeve.

Si një departament i bazuar në kërkesa profesionale dhe me synimin për të përgatitur profesionistë të një shoqërie demokratike dhe të një zhvillimi mediatik e teknologjik bashkëkohor, përmes këtij programi synohet përmbushja e misionit institucional, duke ndihmuar studentët të zhvillojnë aftësitë e të menduarit kritik, të një komunikimi të qartë, që të kuptojnë dimensionet etike të vendimeve që ata marrin, të njohin rolin dhe rëndësinë që ka transmetimi dhe publikimi i informacionit në mediat e një shoqërie të lirë, si edhe rëndësinë e veçantë që ka gazetaria investigative për një shoqëri sa më të shëndetshme dhe demokratike.

Përmes një kurrikule të bazuar dhe të mbështetur në traditën e disa universiteteve me zë në këtë fushë, programi “Master profesional në gazetari investigative” synon të zhvillojë një botëkuptim të gjerë të teorive dhe praktikës në fushën e gazetarisë, me fokus në gazetarinë investigative.

Rezultatet e programit

Në përfundim të programit akademik “Master profesional” në “Gazetari Investigative”, studentët e diplomuar zhvillojnë:

Njohuri të fituara – studentët do të jenë në gjendje të demonstrojnë:

  • Një kuptim sistematik të kornizave rregullatore, ligjore dhe etike nën të cilën puna e  gazetarëve investigativë zhvillohet në industrinë e transmetimit TV & radio.
  • Një kuptim sistematik mbi nevojat komerciale dhe audiencës së larmishme që nevojitet për mjedisin në të cilin operon industria e medias;
  • Njohuri dhe kuptim shkencor, vlerësues, kritik, integrues dhe reflektues të praktikave dhe procedurave gazetareske.
  • Origjinalitet në zbatimin e njohurive, së bashku me një kuptim praktik se si teknikat e vendosura të kërkimit përdoren për të krijuar dhe interpretuar njohuritë.
  • Aftësi për të ekzaminuar format dhe praktikat e mediave në mënyrë kritike, duke iu referuar konteksteve social-kulturore dhe larmisë së shoqërisë bashkëkohore.
  • Aftësi për të kuptuar se si grupe të ndryshme shoqërore përdorin dhe përfshihen në format e komunikimit.
  • Aftësi për të kuptuar dhe aplikuar në situata të reja, perspektivat teorike që aplikohen, dhe kontekstin historiko-kulturor në të cilin funksionojnë dhe veprojnë gazetarët dhe gazetaria.

Aftësi njohëse – studentët duhet të jenë në gjendje :

  • Të vlerësojnë dhe aplikojnë në mënyrë kritike njohuritë në situata dhe sfida unike.
  • Të kuptojnë, analizojnë, vlerësojnë dhe prezantojnë të dhëna komplekse të hulumtimit parësor dhe dytësor në mënyrë kritike dhe efektive.
  • Të zgjedhin, përpunojnë, organizojnë dhe sintetizojnë në mënyrë efektive informacione komplekse ose jo të plota.
  • Të arsyetojnë në mënyrë sistematike dhe të zgjidhin probleme duke iu dhënë përgjigje pyetjeve, duke marrë parasysh zgjidhje alternative dhe duke vlerësuar rezultatet.
  • Të shqyrtojnë dhe vlerësojnë punën e tyre në mënyrë reflektive, duke iu referuar çështjeve dhe diskutimeve akademike e profesionale.

Aftësi specifike – Në përfundim të këtij programi do të jenë në gjendje të tregojnë:

  • Kompetencë për të aplikuar njohuri gjithëpërfshirëse për kornizat ligjore dhe rregullatore në praktikën e gazetarisë.
  • Aftësi të përdorimit të teknologjisë, duke përfshirë kamerat, pajisjet e zërit dhe redaktimin në standard profesional. Kjo përfshin aftësinë për të aplikuar gramatikën vizive dhe teknikat e përdorura në bërjen e dokumentarëve televizivë ose artikujve për çështjet aktuale.
  • Rëndësinë e strukturave të mënyrës së komisionimit dhe financimit të industrisë së transmetimit, dhe se si ato ndikojnë në produktin final në gazetarinë e TV & radio.
  • Aftësi për të identifikuar dhe investiguar subjektet e duhura për investigimin gazetaresk. Kjo përfshin aftësinë për të njohur ndryshimin midis një çështjeje dhe një historie, dhe aftësinë për të prezantuar (pitching) një histori tek autoriteti i komisionimit.
  • Aftësi për të ndërmarrë vlerësime të përshtatshme të rrezikut për veten e tyre dhe anëtarët e një ekipi.
  • Aftësi për të mbledhur informacione nga burime të ndryshme, qofshin ato njerëzore, teknike, numerike, gjeografike ose të tjera. Aftësi për të organizuar dhe menaxhuar këtë informacion, dhe për t’i përpunuar ato në një mënyrë që kontribuon në investigimin e një historie ose çështje të veçantë.
  • Aftësi për të intervistuar pjesëmarrësit në një larmi situatash dhe duke përdorur një larmi të gjerë metodash. Kjo përfshin një vetëdije për kërkesat e veçanta të intervistimit të individëve vunerabël.
  • Njohuri për mënyrat me të cilat qeveritë dhe institucionet e tjera kontrollojnë dhe shpërndajnë informacionin. Kjo, ndër të tjera, do t’i lejojë studentët të angazhohen në mënyrë kritike me burimet e duhura zyrtare të informacionit, si një mjet për të zhvilluar histori dhe për të krijuar kontakte.
  • Angazhim dhe kuptim i diskutimeve bashkëkohore në lidhje me shqetësimet e gazetarëve dhe të gazetarisë, përfshirë edhe ccështjet etike. Kjo nënkupton rolin e organeve profesionale dhe rregullatore, mënyrën e rregullimit korrekt dhe të diferencuar të gazetarisë së shkruar, medias audio-vizive dhe online.

 

Aftësi kyçe – në përfundim të këtij programi studimi, studentët do të jenë në gjendje të demonstrojnë:

  • Aftësi për të punuar me iniciativën e tyre për të identifikuar dhe ndjekur mundësitë profesionale;
  • Aftësi për të ushtruar vendimmarrje të përshtatshme në një mjedis kompleks rregullator dhe etik, si dhe në kontekste të paparashikueshme profesionale.
  • Shprehi dhe kompetenca për t’i pajisur studentët me dëshirën për formim të vazhduar për zhvillim profesional dhe akademik, veçanërisht në një ekosistem  në ndryshim të shpejtë të mediave;
  • Kompetenca për të punuar si pjesë e ekipeve në një larmi rolesh, duke treguar nivel të lartë  aftësish ndërpersonale;
  • Aftësi për të komunikuar në mënyrë efektive në situata të ndryshme, duke përdorur teknologjinë përkatëse me një gamë të plotë të audiencave.
  • Aftësi për të menaxhuar kohën dhe burimet e tyre në mënyrë efektive, duke u bazuar në planifikimin, organizimin, menaxhimin e projektit dhe aftësitë drejtuese. Aftësia për të qenë i besueshëm: të dorëzosh në kohë produktin.

Mundësitë e Punësimit

Studentët e diplomuar nga ky program mund të punojnë si:

  • Gazetarë investigativë në media private apo publike;
  • Reporterë investigativë në media private apo publike;
  • Gazetarë të lirë investigativë (Freelancer);
  • Këshilltarë investigativë në institucionet mediatike, organizata kombëtare ose ndërkombëtare, institucione publike dhe private, etj
  • Specialistë komunikimi në institucionet publike apo private, organizata kombëtare apo ndërkombëtare, etj.;
  • Drejtues në media të ndryshme;
  • Këshilltarë komunikimi për individë apo drejtues të institucioneve/organizatave të ndryshme;
  • Konsulentë për organizata jo fitimprurëse.

Numri i krediteve ECTS (Sistemi Evropian i Transferimit të Krediteve)

Programi i studimeve realizohet me 60 ECTS, në përputhje me planin mësimor të propozuar nga Departamenti i gazetarisë dhe komunikimit.

Organizimi i programit

Programi i studimeve të ciklit të dytë “Master profesional në gazetari investigative” zgjat një vit akademik, të ndarë në dy semestra.

1 vit akademik ka 32 javë mësimore në auditor, përfshi edhe javën e provimeve

1 semestër ka 16 javë mësimore në auditor, përfshi edhe javën e provimeve

Programi përmban gjithsej 60 ECTS.

Një vit akademik ka 60 ECTS.

1 ECTS = 25 orë mësimore punë të studentit.

1 orë mësimore = 50′

Studenti realizon gjatë një viti jo më pak se 1500 orë pune.

Gjuha e mësimdhënies

Mësimdhënia zhvillohet në gjuhën shqipe.

 

Emërtimi i diplomës

Të gjithë ata që përfundojnë me sukses studimet e ciklit të dytë në programin “Master profesional në gazetari investigative”, pajisen me diplomë: “Master profesional në gazetari investigative”.

Plani mësimor

Programi i studimeve “Master profesional në gazetari investigative” zgjat 1 (një) vit akademik, të ndarë në 2 (dy) semestra me nga 16 javë secili, përfshirë këtu edhe javët e provimeve. Programi përbëhet nga 60 kredite ECTS, ngarkesë kjo e planifikuar për t’u realizuar brenda një viti, të ndara në 30 ECTS për çdo semestër.

Në planet mësimore jepet ndarja e ECTS-ve sipas formave të mësimdhënies për çdo lëndë.

Format kryesore të mësimdhënies janë përgjithësisht leksione të integruara me seminare, por edhe të ndarë në leksione dhe seminare veçmas varësisht natyrës së lëndës/modulit, detyrat e kursit, ushtrimet, laboratoret, projektet, etj..

Mbështetur edhe në legjislacionin shqiptar mbi arsimin e lartë, vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 879, datë 18.12.2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.41, datë 24.1.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për elementet e programeve të studimit të ofruara nga Institucionet e Arsimit të Lartë”, “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome (tezë). Teza e diplomës vlerësohet me notë dhe me kredite ECTS. Teza e programeve master profesional  ka vlerë jo mё pak se 12 kredite ECTS. Programi studimor “Master profesional në Gazetari Investigative” është organizuar me gjithsej 4 module, të përbërë nga  9 lëndë, përfshirë këtu edhe projektin final (Tezën).

Orari mësimor ndërtohet mbi bazën e harmonizimit të elementëve të mësimit dhe të shpërndarjes racionale të ngarkesës së studentit. Kjo ngarkesë zhvillohet deri në 25 orë në javë.

Lëndët klasifikohen në dy grupe kryesore: lëndë të detyruara dhe lëndë me zgjedhje.

Tabelat bashkëlidhur të plan programit janë të organizuara si vijon:

  • Në total janë 8 lëndë.
  • Ngarkesa totale vjetore në auditor për një vit studimi është 585 orë nga 1.500 orë gjithsej.
  • Ngarkesa jashtë auditorit për një vit akademik është 915 orë nga 1.500 orë gjithsej

Në planin mësimor janë përfshirë kreditet përkatëse për çdo lëndë apo aktivitet formues. Lëndët janë sjellë të grupuara në veprimtaritë formuese nga A në E, si vijon:

  1. Lëndë bazë – përgatitje metodologjike dhe kulturë e përgjithshme: A        6 ECTS
  2. Lëndë karakterizuese – përgatitje për disiplinën shkencore B           24 ECTS
  3. Lëndë ndërdisiplinore/integruese –

nëndisiplina, profile dhe grup-lëndë me zgjedhje:                               C           12 ECTS

  1. Lëndë plotësuese –

gjuhë të huaja, njohuri informatike, praktika profesionale:                  D             6 ECTS

  1. Detyrime përmbyllëse:  E            12 ECTS

Çdo lëndë përfshin silabuset e veta me elementët përkatës: emërtimi i lëndës/modulit, viti/semestri kur zhvillohet lënda, emri dhe kualifikimi i pedagogut që do të zhvillojë lëndën, vendin që zë lënda në formimin tërësor të studentit, njohuritë dhe aftësitë që i jep studentit kjo lëndë, temat që do të trajtojë lënda në formimin teorik dhe praktik, ngarkesa në orë në auditor dhe jashtë auditorit, si dhe në ECTS, format dhe metodat e mësimdhënies të lëndës dhe raportet midis tyre, format e vlerësimit të studentëve dhe detyrimet e tyre për lëndën, si dhe literaturën e detyruar dhe ndihmëse, duke qenë në përputhje me kërkesat ligjore.