Bachelor ne Gazetari

Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit ofron programe studimi në tre cikle studimi:

  1. Cikli i parë i studimeve: Bachelor
  2. Cikli i dytë i studimeve: Master i Shkencave në Gazetari dhe Komunikim
  3. Cikli i tretë i studimeve: Doktor i Shkencave në Gazetari dhe Komunikim Masiv

Strategjitë e ndjekura në hartimin e kurrikulës kanë sjellë një kurrikul ku ndërthuret formimi i profesionistëve në lëmin e gazetarisë, të industrisë së informacionit dhe të komunikimit publik apo edhe të menaxhimit të mediave dhe studiuesve e analistëve të këtyre fushave. Ndërkaq, niveli doktoral përgatit kërkues shkencorë të kualifikuar në fushën e mediave dhe të informacionit masiv.

Departamenti synon të formojë gazetarë dhe punonjës të informimit dhe të komunikimit sipas parimeve të konvergjimit të mediave dhe zhvillimit të komunikimit multimedial pra gazetarin apo ekspertin e komunikimit që është i aftë të punojnë në disa platforma njëherësh, të integruara. Po kështu, komunikimi interaktiv kërkon që profilet dhe strategjitë e studimeve të formojnë administruesin e kanaleve të komunikimit dhe të informimit masiv, sikurse edhe ekspertin ose njohësin e mirë të disa fushave përmbajtësore sociale, si politika, ekonomia, kultura, etj.

Midis formimit në nivelit “bachelor” dhe atij “master” ka vazhdimësi, por edhe ndërprerje. Ndërsa në nivelin bachelor synohet drejt formimit të gazetarëve, sistemi “master” i studimeve i çon studentët drejt profesioneve të marrëdhënieve publike, të administrimit të mediave dhe gazetarisë ndërkombëtar dhe evropiane. E veçanta është se ka një ndërthurje midis lëndëve të formimit të përgjithshëm teorik, lëndëve që orientohen në mënyrë të profilizuar në fushat e komunikimit masiv dhe atij publik, si edhe lëndëve praktike që realizohen në atelietë.

Temat e diplomave janë të orientuara kryesisht drejt produksionit mediatik, kurse mikrotezat e masterit përfaqësojnë kërkime në terrenin e dinamikave të komunikimit publik dhe të mediave masive. Synimi është që të përgatiten jo vetëm gazetarë, por edhe punonjës të industrisë së informimit, ekspertë të marrëdhënieve publike, gazetarë të mediave sociale, administrues të mediave dhe të komunikimit “online”, gazetarë të lirë, ekspertë të marrëdhënieve publike, mediatorë kulturorë, specialistë të marketingut dhe të kurimit të imazhit dhe promocionit të markës. Gjithçka në shërbim të përgatitjes së studentëve me kërkesat e tregut të sotëm si edhe të nevojave të sotme të zhvillimeve demokratike.

Programet e ofruara në ciklin e parë të studimeve, niveli Bachelor janë të organizuar sipas këtyre profileve:

  1. Gazetari politike
  2. Gazetari social-kulturore
  3. Gazetari ekonomike

Numri i studentëve të pranuar:   Viti i parë: 100

                                                Viti i dytë: 100

                                                Viti i tretë: 120

  1. Profili “Gazetari politike”

Profili “Gazetari politike” iu propozohet studentëve, dhe profesionistëve të ardhshëm të gazetarisë me dy përparësi të rëndësishme: Së pari duke përcaktuar qartë fushën e gazetarisë politike, mbështetur në idenë se gazetari në Shqipëri, nuk do të thotë të raportosh vetëm për politikë. Së dyti “Gazetaria Politike” shkon përtej raportimit politik, si një aktivitet shumë më kompleks dhe i larmishëm, dhe që reflektohet tek formimi i studentit.

Përpos lëndëve të përgjithshme, profili “Gazetari-Politike” ofron tetë kurse tërësisht të profilizuara, me staf akademik të brendshëm dhe të jashtëm, të domosdoshëm sot kur shumë rregulla e ligje po përmbysen në epokën dixhitale, me shfaqjen e medias se re. Ndërkaq, eksperienca, përkushtimi dhe angazhimi i pedagogëve në këtë profil, një pjesë e të cilëve vijnë nga Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Shkencave Sociale  Universiteti i Tiranës ndikon në suksesin dhe mbarëvajtjen e tij. Profili është ndërtuar mbi bazën e tetë lëndëve të konceptuara si pjesë e një të tëre, ku përmbajtja, aspekti teorik dhe praktik harmonizohen më së miri me njëra – tjetrën.

Ky profil u jep mundësinë studentëve të komunikimit që të kenë dije në dy disiplina tradicionalisht të ndara si politika dhe fusha e komunikimit, por që me zhvillimet e kohëve të sotme ndërthuren në një disipline të vetme, ku një mesazh politik nuk mund të quhet më i tillë nëse ai nuk kalon nëpërmjet filtrit mediatik. Studenti pasuron eksperiencën e tij studimore në dy dimensione, në një dimension reflektiv duke ravijëzuar disa koncepte themelore të universit te politikës, dhe nga ana tjetër në një dimension praktik: aftësimi në teknikat gazetareske të raportimit në media mbi çështjet politike.

Perspektiva e punësimit orientohet drejt redaksive mediatike në ndërtimin e lajmeve politike por dhe në entitete të tjera si OJF-të, partitë politike, institucione publike ne organizime fushatash, aktivitete konsultative dhe marrëdhënie publike. Gazetaria politike ndjen gjithmonë e më tepër nevojën e shkëputjes nga agjencitë e vjetra – partitë politike – apo institucione te tjera, dhe të orientohet drejt agjencive të hapësirës publike të rrjetit, komunikimit politik virtual, si përgjigje ndaj ndryshimeve të kohës. Gazetari politik ngjan gjithmonë e më pak me gazetarin klasik, ai është një “blogger”, një opionion-bërës që raporton dhe ngre çështje në kohë reale në rrjetet sociale, me një qasje profesionale krejtësisht të orientuar drejt implementimit të teknologjive bashkëkohore.

Profili “Gazetari – Politike” e ndjek studentin për dy vitet e para , deri kur fillon profilizimi sipas atelieve të mediave të shkruara, vizuale dhe mediave të reja, por duke mos u shkëputur nga formimi i tij.

Profesionet e mundshme pas përfundimit të studimeve për profilin politik:

  • Redaktor i informacionit politik
  • Reporter politik
  • Gazetar në mediat e agjencive politike
  • Asistent i marrëdhënieve me shtypin i agjencive politike
  • Zëdhënës shtypi i agjencive politike
  • Menaxher i mediave sociale me profil politik – Komentator politik i mediave
  • Asistent moderator i emisioneve politike në mediat audiovizive
  • Profili “Gazetari social-kulturore”.

Profili  “Gazetari social – kulturore” merr përsipër të formojë gazetarë të cilët përmes elementit kulturor (historisë së zhvillimit kulturor, historik e antropologjik kulturor, kinemasë, televizionit, arteve, radios, mediave elektronike dhe konsumit kulturor në shtypin e shkruar) të jenë në gjendje të dalin nga statusi i thjeshtë i raportuesit të një ngjarjeje kulturore a sociale dhe të hyjnë në statusin e gazetarit të mirëfilltë analizues e interpretues të zhvillimit shoqëror duke përdorur zhvillimin kulturor si pasqyrë për të.

Ky është një profil ndërdisiplinor që përfshin në vetvete kurse trajtueses të elementëve artistikë, historikë e politikë që ndikojnë në formimin e zhvillimin e një kulture, si dhe pajis me aparatin analitik për të aftësuar analizën e shoqërisë përkatëse në kohën e përzgjedhur duke përdorur çdo element kulturor të saj si indikator dhe provë të arsyetimit njëkohësisht.

Studentët e këtij profili kanë përftuar në fund të studimeve aftësinë për tu punësuar padyshim në të gjithë sektorët kulturorë e socialë të mediave, por gjithashtu ata marrin edhe profilin e ekspertit të komunikimit por edhe këshilltarët e komunikimit kulturor si në institucione publike a private ashtu edhe në këshillimin e ndërtimit të fushatave komunikative masive.

Profesionet e mundshme për profilin social-kulturor (diploma bachelor) :

  • Asistent editor i faqes kulturore
  • Gazetar i suplementit socio-kulturor – Gazetar në mediat me profil kulturor
  • Reporter i kulturës – Asistent i marrëdhënieve me shtypin i agjencive socialkulturore – Zëdhënës shtypi i agjencive socialkulturore –
  • Menaxher mediave sociale me profil social kulturor
  • Animator i aktiviteteve social kulturore
  • Asistent moderator i emisioneve socio kulturore në mediat audiovizive
  • Profili “Gazetari ekonomike”

Profili “Gazetari ekonomike” u përgjigjet nevojave të tregut të punës për gazetarë të aftë për të raportuar lajmet mbi ekonominë dhe biznesin në median audiovizive, shtyp, online, etj. si dhe impakti i thellë që ka ekonomia në jetën e gjithkujt janë arsyet kryesore që ky profil ka në fokus ekonominë. Zhvillimet teknologjike dhe interneti e kanë bërë botën më të vogël. Shumë gjëra kanë ndryshuar por vetëm një gjë jo: biznesi dhe ekonomia. Ato mbeten të komplikuara dhe shkrimet në këtë fushë mbartin rreziqe. Çdo ditë ekziston mundësia për gabime, keqkuptime apo keqinterpretime.

Profili synon të ndihmojë studentët e gazetarisë të reduktojnë këto risqe dhe të ndihen komod me profesionin e tyre. Raportimi jo vetëm i ekonomisë por edhe i disiplinave të tjera do të ishte i mangët pa disa njohuri ekonomike

Profesionet e mundshme pas përfundimit të studimeve për profilin ekonomik :

  • Redaktor i lajmit ekonomik
  • Gazetar i mediave ekonomike
  • Asistent për marrëdhëniet me shtypin në agjenci financiare dhe ekonomike
  • Reporter i biznesit dhe financave
  • Zëdhënës shtypi i agjencive financiare dhe ekonomike
  • Asistent moderator emisionesh financiare dhe ekonomike në mediat audiovizive
  • Gazetar i suplementit me profil financiar dhe ekonomik