![](https://www.reporterinvestigativ.al/wp-content/uploads/2021/11/Shkolla-Doktorale-1-1-1024x618.jpg)
Shkolla doktorale e Departamentit të Gazetarisë dhe të Komunikimit e themeluar në vitin 2010 ka si synim të formojë kërkues shkencorë të nivelit shumë të lartë për hapësirat universitare shqiptare. E vërteta është se departamentet e komunikimit dhe të gazetarisë janë shtuar në një shoqeri të mass-medias dhe të hapësirës publike të demokratizuar. Nisur këtej theksojmë se kemi të bëjmë me të parën shkollë doktorale të këtij profili në Shqipëri. Ajo është e ndërtuar sipas tre niveleve që janë në harmoni me njëri-tjetrin.
I pari ka të bëjë me kurset e lëndëve të formimit teorik që strukturohen në dymbëdhjetë lëndë të propozuara, por që zgjidhen lirisht nga doktorantët në bazë të interesave të tyre shkencore, të parapëlqimeve subjektive dhe të nevojave të formimit teorik për të përballuar hartimin e tezës së doktoraturës.
I dyti, lidhet me punën kërkimore që doktorantët bëjnë për të përfunduar me mbrojtjen e doktoraturës. Ata drejtohen në këtë proces nga pedagogë dhe punonjës shkencorë me përvojë. Studimet e ndërmarra kanë natyrë qartësisht aktuale, trajtojnë teorikisht probleme dhe prirje të mediave mbarë shqiptarë dhe të komunikimit të sotëm publik.
I treti, ka te beje me aktivitete ndihmëse shkencore si pjesëmarrje ne forume, në konferenca shkencore dhe botime ku janë të angazhuar pothuajse të gjithë doktorantët, te cilët vijnë nga të gjitha trevat shqipfolëse. Në këtë mënyrë kjo shkollë doktorale ofron një inkuadrim me cilësi të lartë të doktorantëve dhe përballon shumë nevoja lidhur me punën shkencore në fushën e komunikimit masiv dhe të informimit mediatik. Ajo është edhe një urë lidhëse me arritjet teorike më të mira në këto fusha studimesh në hapësirën intelektuale evropiane dhe më gjerë.
Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit ka infrastrukturën e nevojshme për përmbushjen e kërkesave programeve studimore që ofron. Në dispozicion të studentëve dhe të stafit akademik janë 3 newsroom-e, një laborator PR-i dhe 5 salla leksionesh, që krijojnë mundësi që studentët të realizojnë përmbajtje mediatike në këto drejtime:
- Gazetari televizive
- Gazetari radio
- Gazetari e shtypit të shkruar dhe mediave të reja
- Marrëdhënie publike