
Programet e ofruara në ciklin e dytë të studimeve, niveli Master i Shkencave, ndarja sipas profileve:
- Komunikim ndërkulturor
- Marrëdhënie me publikun
- Drejtim dhe Menaxhim Mediash
- Marketing mediatik
- Gazetari evropiane dhe ndërkombëtare
- Profili “Komunikim ndërkulturor”
Profili “Komunikim Ndërkulturor” ndërtohet mbi konceptet e komunikimit si produkt mirëfilli kulturor, ku përmes studimit të kulturës dhe paralelisht industrisë mediatike synohet të krijohet aftësia e analizimit të mënyrës sesi janë ndërtuar shoqëritë, mënyrës sesi ato funksionojnë dhe rrjedhimisht edhe përshtatshmërisë së produktit mediatik që ato përdorin. Kështu komunikimi kuptohet si trashëgimi kulturore. Tipologjitë e studimit të komunikimit kulturor përfshijnë si ato brenda shoqërore ashtu ato ndërkulturore, por edhe ato të gjendjeve specifike si psh: shoqëritë tranzicionale, shumë kulturore dhe komunikimi në grupet shoqërore në gjendje të jashtëzakonshme (si p.sh. në institucione (të mbyllura a hapura qofshin ato)).
Ky profil synon të njohë dhe aftësojë studentët me problematikat e shumta të komunikimit mes shoqërive multi-kulturore, minoriteteve dhe të drejtat e tyre, integrimin ose jo me shoqëritë mazhoritare, identitetin dhe karakterin kombëtar si dhe shfaqjet e shumta të nacionalizmit dhe formave të tij. Lënda synon të përgatisë student të aftë në lidhje me ndërtimin e imazhit të vendit dhe strategjive të diplomacisë publike. Ai gjithashtu synon të njohë dhe përgatisë studentët me komunikimin midis grupeve me fe të ndryshme, të vendosjes së dialogut ndërfetar dhe rolit të medias në pasqyrimin dhe përforcimin e tij. Kjo arrihet si pasojë e rasteve konkrete të shqyrtuara në median botërore dhe atë shqiptare.
Në këtë profil studentët fitojnë njohuri për industrializimin e produktit kulturor të transmetuar përmes medias, proceseve kulturore mediatike dhe mesazheve përcjellëse. Duke trajtuar thelbësisht me raste konkrete të medias vendase dhe asaj perëndimore, studentët pajisen me idetë dhe aftësitë konkrete të specifikave konkrete të industrisë së medias dhe kulturës si dhe fitojnë njohuri teorike dhe praktike për komunikimin e kujtesës kulturore në shoqëri përmes simboleve kulturore.
Shqyrtimet teorike përgjithësuese paraqiten të konkretizuara me analizën e veçorive të komunikimit simbolik në shoqërinë shqiptare, tradicionale dhe të ditëve tona. Ky profil synon gjithashtu të aftësojë studentët për të dekoduar e analizuar mesazhet e shumëllojshme, deri mjaft të sofistikuara, që përcillen përmes simboleve të ndryshme, përmes elementeve të komunikimit joverbal, elementeve të kombinimit simbolik në përpjekje për të paraqitur në mënyrë sa më të shumanshme dhe interesante informacionet, mesazhet, idetë etj.
Programet e lëndëve të këtij profili shoqërohen me literaturën më të fundit bashkëkohore në shqip dhe gjuhë të huaj. Një synim tjetër i arritur në lëndët e këtij profili është po ashtu shoqërimi i tematikave dhe problematikave të trajtuara me mjetet më bashkëkohore teknologjike, si dhe me prodhimet më të mira të huaja.
Me paraqitjen e mësipërme mund të thuhet se studentët e profilit “Komunikim ndërkulturor” aftësohen për punësim në të katër tipet e mediave, (por jo vetëm) në profile të studimit kulturor përmes produkteve artistike (pra në lëmin e gazetarisë kulturore), të studimit social përmes trajtimit dhe ndërlidhjes së komunikimit politik, të evidentimit të impaktit të këtij të fundit mbi hapësirën sociale, dhe së fundmi edhe në aftësinë krijuese të strukturave të komunikimit publik. Po ashtu studentët e diplomuar në këtë profil kanë mundësi punësimi në agjenci të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, institucione të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit
Profesionet e lidhura me këtë profil:
- Moderator i marrëdhënieve ndërkulturore
- Ekspert në diplomacinë publike
- Menaxher i komunikimit të brendshëm
- Menaxher i krizave në komunikim
- Animator i eventeve social kulturore
- Mediator i mediave me publikun
- Gazetar në mediat e diversitetit kulturor
- Konsulent në komunikim me kategori sociale specifike
- Konsulent në ndërtimin e imazhit
- Teknik komunikimi në agjencitë sociale
- Konsulent komunikimi në agjencitë e politikave të mbrojtjes sociale
- Profili “Marrëdhënie me publikun”
Profili kombinon elementin teorik me një qasje praktike drejt aspekteve vitale të punës së specialistit të Marrëdhënieve me Publikun, duke analizuar situata konkrete nga realiteti botëror dhe ai shqiptar, duke zhvilluar vizita pune ne institucione apo duke kryer punë praktike në terren si një proces që lehtëson përballjen e studentëve me nevojat imediate të kompanive në tregun e punës.
Duke kuptuar specifikën e punës së specialistit të Marrëdhënieve me Publikun në organizatë, profili përgatit brezin e ardhshëm të komunikuesve, të cilët do të jenë të aftë të kryejnë aktivitetet e poshtë renditura: të bëjnë publicitet, të prodhojnë dhe shpërndajnë mesazhe pozitive për organizatën apo nëpunësit e saj, ose tregime me vlerë që synojnë përmirësimin e imazhit të markës, të menaxhojnë marrëdhënien me median: mirëmban dhe menaxhon marrëdhënien mes organizatës dhe medias, të kurojnë imazhin e organizatës, të monitorojë opinionin e publikut dhe të këshillojë lidershipin, të merren me komunikimin e brendshëm, të menaxhojë marrëdhënien e organizatës me nëpunësit e saj, të komunikojnë me partnerët, të lobojnë, të koordinojnë marrëdhëniet me komunitetin.
Nisur nga fakti se organizatat, gjithnjë dhe më shumë, po kuptojnë rolin e rëndësishëm të marrëdhënieve me publikun dhe pushtetin e komunikimit me konsumatorin/ publikun, roli i MP, jo vetëm për biznesin, por edhe për qeverinë e politikën, po bëhet një nevojë e domosdoshme. Kjo gjë ka shënuar rritjen e numrit të specialistëve të marrëdhënieve me publikun dhe si rrjedhojë edhe të programeve akademike që përgatisin profesionistë që i përgjigjen kësaj nevoje në rritje të shoqërive demokratike. Si pasojë e rëndësisë së komunikimit në të gjitha llojet e ndërmarrjeve, publike, private apo jo-fitimprurëse, MP, megjithëse një profesion i ri, janë vlerësuar si ‘profesioni i shekullit’.
Profesionet e lidhura me këtë profil:
- Punonjës i zyrës të marrëdhënieve me publikun
- Menaxher i marrëdhënieve publike
- Ekspert i fushatave elektorale
- Analist i sjelljes së audiencave dhe konsumatorëve
- Konsulent në marrëdhënie publike
- Shkrues për marrëdhëniet me publikun
- Specialist i marrëdhënieve me publikun ndërkombëtar
- Zëdhënës i medias
- Ekspert i menaxhimit të çështjeve dhe krizave.
3- Profili “Drejtim dhe Menaxhim Mediash”
Profili “Drejtim dhe Menaxhim Mediash” synon t’u transmetojë studentëve njohuri më të thella për strukturën, përdorimin, ndikimin dhe zhvillimin e mediave si organizata, menaxhimin e informacionit në masmedia, njohjen e tyre me tregjet mediatike dhe veçoritë e reklamës, si dhe analizën e produksioneve mediatike dhe audio-vizive. Ky profil ofron një edukim universitar të orientuar drejt praktikës në fushën e medias dhe të menaxhimit të saj. Studentët do të nxiten të bëjnë kërkime empirike në lidhje me perceptimin dhe funksionin e medias në proceset komunikative të jetës së përditshme si dhe me menaxhimin dhe organizimin e strukturave të saj. Duke bashkuar teorinë me praktikën studentët do të përgatiten për të hyrë në tregun e punës nesër, që është një nga prioritetet e sistemit të Bolonjës.
Profili synon të japë një vështrim kritik të medias me instrumentet e vetë gazetarisë duke trajtuar sistemin mediatik dhe përbërësit e tij, dimensionet ekonomike, social-kulturore dhe politike që ndikojnë në zhvillimin e gazetarisë. Pra, gazetaria e medias do të shihet si në disa aspekte: në kuadër të ekonomisë së medias, të marrëdhënies delikate Media-PR, si dhe brenda interesit të kompanive mediatike. Pjesa e menaxhimit ndahet në dy pjesë, e para “Menaxhimi i radios dhe televizionit” që konsiston në shqyrtimin e praktikave dhe strategjive të biznesit të radiove dhe televizioneve në tregje të vogla, të zbatueshme në fushën e menaxhimit të stacioneve, të shitjeve, të programimit, produksionit, personelit dhe financës. Pjesa e dytë, “Menaxhimi i personelit të një institucioni mediatik”, konsiston në shqyrtimin e pozicionit të menaxherit në marrëdhëniet me personelin e një redaksie.
Ky profil merr përsipër të pajisë studentët me njohuri të përgjithshme rreth parimeve kryesore të organizimit dhe administrimit të medias audiovizive, duke iu referuar parimeve themelore të administrimit të biznesit mediatik modern. Ai është fokusuar te karakteristikat e produksionit dhe përdorimit të informacioneve që prodhohen dhe përhapen në dhe përmes masmedias. Procesi i krijimit dhe përhapjes së informacionit do të trajtohet në tre aspekte: informacioni si komponent tematik, informacioni si produkt konsumi për masën (input) dhe pasojat e tij (output). Krahas informacionit, rëndësi do t’i kushtohet edhe reklamës, funksionet dhe përbërësit e saj organizativë, produktivë dhe komunikativë.
Profesionet e lidhura me këtë profil janë:
- Administrator i mediave on line
- Editor i numrit
- Asistent administrator në mediat e shkruara dhe ato audiovizive
- Specialist i burimeve njerëzore në media
- Menaxher i përmbajtjes online
- Ekspert i përmbajtjes së produktit masmedial
- Analist kritik i medias për media
- Profili “Marketing Mediatik”
Diploma në këtë profil mundëson njohuri të thelluara në fushën e Marketingut Mediatik, të domosdoshme për një mjedis që po bëhet gjithnjë e më shumë konkurrues. Ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet marketingut dhe zhvillimeve në botën e medias. Teknologjitë e mediave të reja në mënyrë të vazhdueshme rezultojnë në zhvillim produktesh duke krijuar oferta të reja, kanale të reja shpërndarjeje dhe mjete më efektive për drejtimin marketing, më shumë mundësi për komunikimkategoriet marketing, si dhe rritje të përfshirjes së klientëve në këto aktivitete.
Profili mbështetet mbi gjashtë lëndë ku teoria dhe praktika kombinohen shumë mirë me njëra-tjetrën. Një pjesë e lëndëve jepen nga pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë, UT. Në përfundim të masterit studentët do të jenë profesionistë në punën e tyre, do të kenë zhvilluar mendimin kritik pasi në marketing nuk ka rregulla absolute: çfarë funksionon për një kompani në një periudhë të caktuar mund të mos funksionojë për një kompani tjetër, pavarësisht nëse është kompani mediatike apo jo. Studentët do të jenë të aftë të hartojnë, implementojnë, të shpjegojnë si dhe pse duhet aplikuar një strategji marketing kundrejt një tjetre duke mos ngelur në stadin teorik që shpjegon se çfarë është një strategji marketing. Njohja e industrisë së medias në ditët e sotme është thelbësore për investitorët, pronarët dhe menaxherët e medias. Studentët do të mësojnë treguesit kryesor të të ardhurave dhe shpenzimeve në të gjitha llojet e medias – TV, radio, shtyp dhe mediat e reja. Industria e medias përfshin financimin, aplikimin e teorive, koncepteve dhe parimeve për të studiuar aspektet makroekonomike dhe mikroekonomike të industrisë dhe kompanive të medias.
Gjithashtu në këtë profil një rëndësi e veçantë i kushtohet promocionit të produkteve mediatike. Promocioni i Tv-së, radios, shtypit, etj. si dhe përdorimi i internetit si mekanizëm promocional, funksioni i tij si burim programimi që ka vetë nevojë për reklamim, janë në fokus të këtij profili. Tema të tjera që trajtohen janë menaxhimi, kërkimi dhe buxhetimi në promocion. Situata globale e promocionit duke u ndalur veçanërisht në modele botërore të kompanive dhe sistemeve të shpërndarjes së produktit mediatik përmbyll lëndën.
Një shtyllë tjetër e rëndësishme e këtij profili janë edhe njohja dhe zotërimi i teknikave të bindjes dhe publicitetit në mediat audiovizive: Në këtë kuadër studentët fitojnë njohuri për sa i përket reklamës audiovizive, avantazheve dhe dizavantazheve të saj, krahasuar me reklamën në formë të shtypur si dhe rëndësinë apo rolin e markës në një reklamë. Përmes lëndëve të këtij profili identifikohen teknikat e bindjes, nga perspektiva të ndryshme , duke marrë në konsideratë audiencën e synuar, burimet, mesazhin, dhe kanalin e komunikimit në ndërveprimin në bindjen dhe prezantohet zinxhiri i prodhimit të një reklame audiovizive. Duke pasur parasysh revolucionin teknologjik të dekadave të fundit gjatë kurseve të këtij profili vihet theksi në faktin se të gjithë në botën moderne ndikohen në një masë të caktuar nga komunikimi i integruar. Për të kuptuar komunikimin si marketing të integruar në botën e sotme të biznesit studentët duhet të kuptojnë se si një kompani mund të përdorë të gjitha mjetet e komunikimit marketing të tilla si publiciteti, promocioni i shitjeve, marrëdhëniet me publikun, marketingu i drejtpërdrejtë për të komunikuar me klientët e saj. Po kështu një rëndësi e madhe i kushtohet edhe marketingut në mediat sociale
Duke kombinuar marketingun, komunikimin, sociologjinë dhe statistikën, studentët mësojnë rreth mjeteve që përdoren në kontekstin e mediave sociale, të cilat po riformatojnë jetët tona dhe po ndryshojnë mënyrën se si ne ndërveprojmë me botën. Nga Facebook tek Tweeter dhe LinkedIn, studentët mësojnë si t’i menaxhojnë këto mjete për përdorim personal dhe profesional si dhe të arrijnë të orkestrojnë një fushatë të suksesshme të SM.
Profesionet që lidhen me këtë profil janë këto:
- Asistent i marketingut dhe reklamës në media
- Specialist i fushatave të marketingut dhe reklamës
- Administrator i reklamës në media
- Shkrues i reklamave në mediat e shkruara
- Shkruesit i reklamës në mediat e transmetimit RTV
- Producent i reklamës në mediat e transmetimit RTV
- Menaxher i departamentit të krijimit në mediat e transmetimit RTV
- Drejtor prodhimi në agjencinë e reklamës
5.Profili “Gazetari evropiane dhe ndërkombëtare”
Gazetaria Evropiane, apo ndryshe Gazetaria e Problemeve Ndërkombëtare, përbën një nga drejtimet e reja të nivelit master në Departamentin e Gazetarisë dhe të Komunikimit të UT. Përfshirja e saj në kurrikulën e nivelit master u pa si domosdoshmëri që buron nga nevoja për të përgatitur raportues të çështjeve ndërkombëtare, të cilët thuajse mungojnë në median aktuale. Krahas përkthimeve apo ritransmetimeve të materialeve të agjencive botërore, departamentit i takon detyra për profilizimin e studentëve në këtë linjë që lidhet drejtpërdrejt me politikën e jashtme të Shqipërisë, interesat e saj në rajon e më gjerë, por edhe për pasqyrimin, komentimin apo analizën e një sërë ngjarjesh ndërkombëtare me interes për publikun. Ndaj në këtë profil janë përfshirë kurse simestrale lidhur me historinë e diplomacisë shqiptare, raportimin e situatave nëpër botë, prezantimin e dukurive aktuale të medias botërore, institucionet kryesore ndërkombëtare etj.
Në përfundim, studentët, të cilët aktivizohen për të bërë kërkime dhe sjellë në auditor problematika e autorë të ndryshëm të çështjeve ndërkombëtare, përzgjedhin tema të ndryshme të fushës për t’i trajtuar në kuadër të medias si punime diplomike.
Profesionet që lidhen me këtë profil:
- Reporter i lajmit të jashtëm
- Editor i faqes së lajmeve nga jashtë
- Gazetar i mediave të huaja në Shqipëri
- Gazetar në agjencitë e lajmeve
- Komentator i politikës së jashtme në media – Analist i peizazhit mediatik ndërkombëtar