- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

Riatdhesimi i kufomave, 5900 arkivole nga viti 1992. Rribursimi nga shteti me tarifa qesharake

Nga Irena Patriku

“67-vjeçarja… u nis para 6 muajsh për të takuar fëmijët e saj në Itali. Por  nuk arriti dot të  çmallej me ta. Goditja qëlloi fatale për shkodranen, të cilës i pushoi zemra teksa zbriste shkallët e avionit”. Për fëmijët e saj, dhimbjes për humbjen e nënës, ju shtua edhe sfida për ta sjellë arkivolin e saj në Shqipëri. Një operacion i vështirë, por edhe i shtrenjtë që shkon deri në dhjetë mijë euro, nga të cilat, shteti shqiptar rimburson një përqindje shumë të vogël. 

Gent Berati, i afërmi i nënës shkodrane tregon se nga shteti ka marrë vetëm 934 mijë lekë të vjetra. “Nga momenti që është shtruar nusja e xhaxhait  dhe deri sa është varrosur shpenzimet mund të llogariten 10 mijë euro pa pasur parasysh shpenzimet e tjera qe janë përdorur për të shkuar e ardhur deri ne spital apo lënia e punës sepse kjo ngjarje ka ndodhur në Malpensa ne Itali dhe të afërmit e mi jetojnë në Torino”, tregon Berati.

Sipas tij pagesa e rimbursimit nuk është aspak e konsiderueshme për të mbuluar shpenzimet që janë kryer. Këto lekë shton Genti vetëm transportin e viktimës e mbulojnë pjesërisht.

Në një dhomë të vogël të nëndheshme e mbushur plot e përplot me dosje zyrtare në një cep të saj kanë zënë pluhur 20-vite me histori tragjike, fate të shqiptarëve të cilat janë dokumentuar në institucionin e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. 5900 trupa të pajetë, burra, gra, fëmijë, të rinj, të moshuar, shtetas shqiptar udhëtojnë me mijëra kilometra  për t’u prehur në vendin e tyre, në atë vend ku ushqyen dëshirën për të ikur sa më larg.

Vasilika Bala, punonjëse në zyrën e financës shprehet se rastet janë nga më tragjikët. Asnjë rast si ngjan tjetrit sepse asnjë nga ato raste nuk është më pak i dhimbshëm. “Rreth 60 për qind e historive  kanë  të njëjtin shkak: aksidentet në punë. Gjatë viteve të punës sime jam ndeshur me qindra histori me arsye nga më të ndryshmet. Nuk mund të harroj vdekjen e hidhur të një nëne emigrante në itali e cila u mbyt bashkë me dy fëmijët e saj në tentativë për të shpëtuar dy vogëlushët”- tregon Bala.

“Amanetin nuk e tret as dheu”

Ramadan Mehmeti është një burrë i moshuar, baba, gjysh i cili që herët në  mëngjesin e 21 majit troket në zyrën e financës së Ministrisë së Punëve Publike dhe të Transportit.  Bashkë me një dosje të vogël, ngjyrë blu ai ka sjellë të gjithë dokumentacionin  e nevojshme, të caktuar me ligj për të përballuar shpenzimet e varrimit për shtetasit shqiptar që vdesin jashtë vendit. Ai ka ardhur të kërkojë rimbursimin që i takon për vdekjen e nënës së tij 97-vjecare e cila humbi jetën një natë pas  festimit të Vitit të Ri, në Previzo të Italisë. Detyra e tij dhe e vëllezërve të tij është gati si një mision moral, amanet  i  lënë me gojë nga nëna e tyre për tu varrosur atje ku e ka vendin!

“Nuk ka cep në botë ku mos të ketë shqiptar që punojnë e ndërtojnë një jetë. E në këto vende shqiptarët dhe familjarët vuajnë dhe tragjizmin e vdekjes. Nëna ime vdiq prej moshës. Kanë ikur të rinj e të reja para saj, por nëna është e dhimbsur sado e madhe të jetë. Nëna më la një amanet dhe amanetin nuk e tret as dheu”- tregon Ramadan Mehmeti, nga fshati Arapaj i komunës Rrezhbull të Durrësit.  

Kalvari i gjatë i ditëve për të plotësuar të gjitha dokumentet nga moment i vdekjes së personit e deri në kthimin e tij për në qendrën administrative ku do të kryet varrimi është një histori më vete. Ramadani tregon se për plotësimin e dokumenteve familjarët e tij bashkë me agjencinë funerale Italiane  u kushtoi atyre pesë ditë, ndërsa kufoma e nënës së tij  “prehej” në morgun e spitalit. Shpenzimet për të gjitha përgatitjet nga shteti Italian duke përfshirë dhe të gjitha detyrimet përkatëse të ceremonisë mortore në Shqipëri i kalojnë shifrat e 3 mijë eurove, pohon Ramadan Mehmeti. Shifra që do t’i rimbursojë shteti zotit Ramadan është 743 mijë lekë dhe kjo shumë thotë Ramadani nuk i afrohet as shpenzimeve të  biletës së udhëtimit.

“Këto lekë nuk i afrohen as çmimit të biletës. Shpenzimet janë më të mëdha krahasuar me atë çka merr nga shteti. Po nuk ke çtë bësh në të tilla raste, mjafton edhe me kaq. Sikur tarifa të rritej edhe pak do ishte më mirë. Për të tilla raste edhe nëse s’ke, borxh i merr që nëna të ketë një varr ku ta qaj fëmija”- pohon Ramadani nga  Arapaj i Durrësit.

Sipas statistikave numrin më të madh të vdekjeve të shqiptarëve e kanë shtetet si Greqia dhe Italia, atje ku dhe numri i emigrantëve që jetojnë e punojnë është statistikisht më i lartë. Në listën e errët të vdekjeve futen e dhe vendet jashtë Evropës si Kanada, SHBA, Australi , shtete ku rastet e vdekjeve  janë më të vogla në numër rreth 20 deri në 30 raste në vit, por tragjedia  në këto vende bëhet  më e  madhe. Pritja për të qar të afërmin nga këto shtete është më torturuesja.  Zonja me inicialet M.H  jeton bashkë me  tre fëmijët në Kanada prej 4 vitesh. Bashkëshorti i saj u nda nga jeta  vetëm tre vite më parë si pasojë e një aksidenti në punë. Dy  muajt sfilitës për ta sjellë bashkëshortin të varrosej  në qytetin e tij, Gjirokastër, aty ku ndodhen të afërmit  e tij ishin të paimagjinueshme për  M.H. Kursimet e disa viteve punë që kapin vlerën e 10 mijë dollarëve, shteti ynë shlyen në masën 1500 dollarë për të gjitha transportet e viktimave që vdesin jashtë Evropës.

“ Përse të shkoj t’i marr 1500 dollarë? Kjo vlerë nuk është për të mbuluar asnjë shpenzim që më është dashur të hedh për të sjellë bashkëshortin në Shqipëri. Kjo vlerë nuk ka fare kuptim, është njësoj sikur mos të ishte”- pohon M.H, nga Gjirokastra.

2012 është viti më i kobshëm i vdekjes së shqiptarëve në botë, rreth 696 raste, ndërsa viti 1992 është viti me më pak viktima, rreth 21 raste. Po këto janë vetëm raste të riregjistruara në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit , të personave që identifikohen dhe përgatitet ardhja e tyre në Shqipëri nga të afërmit. Po sa shqiptarë të tjerë nuk dihet ku kanë varret? Sa nëna e baballarë nuk dinë ku të qajnë fëmijët e tyre? Sa shqiptar ka “ngrënë” emigrimi, kjo plagë e thellë e shoqërisë që i ka çuar ata në  çdo cep të botës, e i ka kthyer të pajetë? E sa nga ata viktima  ka nën dhe e në fund të detit që ikën pa  lënë asnjë gjurmë?

Zor se mund të gjesh ndonjë institucion për të dhënë përgjigje. Duke iu referuar statistikave në 8 vitet e fundit, që prej 2005 e në vazhdim rastet e viktimave që kthehen për t’u varrosur në vendin  e tyre  vijnë në grafikë duke u rritur. Më shumë sesa rritjen e numrit të vdekjes së personave, Vsilika Bala e sektorit të Financës e cila merret me plotësimin e  të gjitha kërkesave për mbulimin e shpenzimeve të varrimit e lidh me faktin se në këto vite informacioni për rimbursim nga shteti është më i përhapur gjerësisht.

“ Nuk do thoja se tendenca në rritje e rasteve në këto 8 vitet e fundit ka të bëjë më rritjen e numrit të vdekjeve të shqiptarëve në botë, më shumë sesa me përhapjen e informacionit.  Besoj së është e njohur tashmë gjerësisht se në rast se plotëson të gjitha dokumentet e nevojshëm pranë Ministrisë se  Punëve Publike dhe Transportit  në bazë të kilometrave që kalon shteti të rimburson me tarifën 70 lekë për kilometër”- thekson Bala.

Në një përgjigje zyrtare, tarifat e vendosura nga shteti janë të mirë studiuara

Deri Grigers Mucollari, drejtor i Shërbimeve të Brendshme në Ministrinë  e Punëve Publike dhe të Transportit sqaron se buxheti i vënë në dispozicion për plotësimin e të gjitha kërkesave të familjarëve, të cilët kërkojnë rimbursim për shpenzimet e varrimit është i konsiderueshëm.

“ Vendosja e tarifave 70 lekë për kilometër dhe 1500 dollarë për vendet jashtë Evropës janë vendosur në bazë të historikes. Planifikoj një fond në varësi të tregut dhe në rast se fondi është i pamjaftueshëm për përballimin e kërkesave i kërkohet Ministrisë së Financës për të shtuar fondin”- sqaron Muçollari. Sipas tij nuk  ka asnjë rast të parimbursuar deri në momentin që dokumentacioni nga ana e familjarëve ka qenë i rregullt.  Nga ana tjetër Muçollari, drejtori i Shërbimeve të Brendshme shton se  këtë viti do të bëhet një rishikim i tarifave të rimbursimit me tendencën për tu rritur. Ndërkohë që familjarët kanë pakënaqësitë e tyre lidhur me tarifat e vendosura, duke analizuar gjithë atë kalvar ditësh plotësimi dokumentash e lekësh nga moment i vdekjes e deri kthimin e viktimës në Shqipëri, dhe kur këto lekë te shpenzuara nga familjarët, sipas tyre nuk mbulojnë as biletën, Muçollari sjell një tjetër panoramë sqarimi. Sipas tij kompanitë që marrin përsipër shpenzimet e transportit nga qendra administrative ku ka ndodhur vdekja deri në qendrën administrative ku do të bëhet varrimi janë kompani abuzuese me çmimin.

“ Qytetarët në bazë të kilometrave marrin dhe shpërblimin që u takon. Çmimet e agjencive funerale që ata paguajnë janë abuzuese, ndaj dhe shpenzimet janë të larta. Shteti nuk mund të bëj kapërcime  të mëdha në tarifat e vendosura, prandaj ky buxhet është i konsiderueshëm”- shton Muçollari.

Buxheti i cili i është akorduar Ministrisë se Punëve Publike dhe Transportit  “Për përballimin nga shteti të shpenzimeve të shërbimit të varrimit për shtetasit shqiptar që vdesin Brenda dhe Jashtë shtetit” shkon në vlerën e 48 milionë lekëve të reja .

 Që prej 2004 rritet vlera, 70 lekë/km nga vendi ku ndodhet viktima

Deri në vitin 2004, në  Ministrin  e Punëve Publike dhe Transportit ishin në funksion dy makina funerale të cilat merrnin arkivolin e shqiptarëve që humbnin jetën në botë për t’i  çuar drejt qendrës administrative ku bëhet varrimi. Përveç këtij shërbimi familjarët rimbursoheshin për çdo km me tarifën prej 50 lekësh.  Që prej 2004 ky shërbim i dy makinave funerale është hequr. Nuk ka një VKM, e cila sqaron për arsyen e heqjes së shërbimit të dy makinave funerale. Sipas një udhëzimi  të lëshuar në datë 21.6.2004, konkretisht  në nenit 7  të saj thuhet:

Neni  7

Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit do të nisi automjetet për transportimin e kufomës apo eshtrave vetëm pas kërkesës zyrtare nga zyra Konsullore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila duhet të sqarojë  në kërkesën e bërë gjeneralitetet dhe vend ndodhjen e saktë të të ndjerit, shlyerjen e detyrimeve përkatëse nga familjarët, përfundimin e procedurave që lejojnë transportin në Shqipëri.

Sipas këtij neni këto dy makina akoma janë në funksion, por e vërteta është diçka tjetër. Makinat e funeralit që kanë marrë trupa të pajetë shqiptarësh, arkivole ku janë mbyllur histori tragjike , ëndrra të lenë përgjysmë, të rinj e të reja, nuk i marrin më kufomat e shqiptarëve në dhe të huaj. Njëra  prej makinave ndodhet e parkuar pas Ministrisë së Punëve Publike dhe të Transportit.  Paradoksale se si 8 vite më parë fugoni që merrte kufomat e bijve, vëllezërve, motrave, kushërinjve nëpër botë, sot i zënë i gjithi në pluhur vihet ndonjëherë në dispozicion të punëve që vetë Ministria ka. Ndërsa makina tjetër siç pohon dhe drejtori i Shërbimeve të Brendshme, Grigers Muçollari ndodhet tek Rezervat e Shtetit. Sipas tij nuk është e nevojshme pse të ketë një VKM posaçërisht për heqjen e këtij shërbimi kur shteti pas heqjes së tij ka rritur tarifën e vlerësimit në bazë të kilometrave në 70 lekë, nga 50 që ishte më parë.

Shërbimi i heqjes së dy makinave të funeralit është hequr në mënyrë të nënkuptuar, pa një VKM dhe sqarim, pavarësisht se në nenin 7 të udhëzimit të hartuar sipas disa ndryshimeve në VKM Nr. 426 datë 09.07.1998 “Për përballimin nga shteti të shpenzimeve të shërbimit të varrimit për shtetasit shqiptar që vdesin Brenda dhe Jashtë shtetit”, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ende ka në fuqi  nenin 7 për nisjen e automjeteve për transportimin e kufomës.

 Dokumentacioni

Pagesa e familjarëve bëhet nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit kundrejt këtyre dokumenteve:

·       Dokumenti i vdekjes nga shteti ku ka ndodhur vdekja

·       Faturë, biletë apo dokument tjetër që vërteton se shpenzimet e transportit kanë kryer familjarët apo të afërmit e të ndjerit.

·       Vërtetim e varrimit në Shqipëri.

·       Certifikatë vdekjeje nga zyra përkatëse e gjendjes civile në Shqipëri.

·       Letërnjoftim ose fotokopje e noterizuar e familjarit që do tërheqë shërbimin.

·       Dokumentacioni i mësipërm duhet të jetë origjinal ose kopje e noterizuar.

·       Dokumentacioni në gjuhë të huaj të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar.

Për herë të parë këtë vit  në listën e dokumenteve të nevojshme shtohet edhe pika për të pasur një llogari bankare në cilën do bankë për të bërë derdhjen e rimbursimit. Nëse vite më parë lekët jepeshin në dorë, sot nuk krijon radhë dhe puna sipas punonjëses së financës, Vasilika Bala është më lehtësuese. Afati për të dorëzuar dokumentet në zyrën e financës së Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit është një vjeçar, nga moment i ndodhjes së vdekjes së personit. Ndërsa koha e derdhjes në lekëve në llogarinë bankare është një muaj.

Viktimat e riatdhesuara në vite
 ViteTotali
199221
199361
1994142
1995176
1996201
1997135
199892
1999210
2000200
2001154
2002253
2003141
2004314
2005124
2006318
2007403
2008490
2009403
2010602
2011667
2012696

Shënim: Artikulli është publikuar në Gazetën “Panorama” më 3 qershor 2013. Ai është realizuar në kuadër të punëve praktike në Atelienë e shtypit në DGK, nën drejtimin e Prof. Zylyftar Bregu

spot_img

Informohu i pari

Merrni artikujt e përzgjedhur në celularin tuaj

Video dhe foto ekskluzive

Raportime sipas qasjes së studentëve

Vëzhgime dhe investigime

Me abonimin tuaj merrni aksesin e plotë të arkivës me artikujve dhe produksioneve tona multimediale

Nga e njëjta kategori

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

Të fundit

Të ngjashme

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme