Nga Deana Ilazaj
Si çdo ngjarje tjetër e rëndësishme e çdo kombi që ka trashëgimin historike dhe kulturore, edhe shpallja e pavarësisë ka simbolikat e saj. Një nga dëshmitë e rralla të asaj periudhe që na sjell në kohët moderne relikët e kësaj godine quhet shtëpia e flamurit.
Muzeu i parë shqiptar që është krijuar në vitin 1936 në Vlorë. Vendi strategjik ku u ngrit flamuri kuq e zi më 28 nëntor 1912. Që nga momenti që është ndërtuar e deri sot kjo ndërtesë është plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale, jo vetëm në Vlorë por edhe më gjerë.
Këto fakte më të detajuara na i tregon drejtori i muzeut Z. Istref Dobi: “Këtu jemi në një godinë rreth 175 vjeçare, mendohet të ketë përfunduar në vitin 1844. Fillimisht ka qenë zyra e doganës së ushtrisë Turke, pasi shumë afër kemi edhe portin e qytetit. Më pas si për ironi të kësaj që po kalojmë në fund të shekullit XIX – fillim të shekullit XX kjo godinë ka qenë spital karantine. Në 4 dhjetor 1912 – janar 1914 kjo godinë ka qenë Selia e Qeverisë provizore të Vlorës drejtuar nga Ismail Qemali”.
Kjo shtëpi dykatëshe buzë detit në jug të qytetit të Vlorës, e sistemuar me dy ndarje kryesore të lidhura nga korridore dhe shkallë prej druri që bashkojnë katet e shtëpisë me njëri- tjetrin. Objekti përmban edhe një ballkon me pamje nga deti përmbi hyrjen kryesore. Në pjesën para të oborrit janë të vendosur buste të Ministrave të Qeverisë dhe në anën e majtë të godinës ndodhet karroca e riprodhuar sipas modelit origjinal të “Babait të Pavarësisë”. Në ambientet e brendshme janë të ekspozuara objekte origjinale të kohës, dokumente, libra, orendi, fotografi, tablo që mbartin vlera të periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Zoti Istref Dobi na njeh më në brendësi me secilin pavijon, përshi edhe zyrën e Kryeministrit Ismail Qemali:
“Ka një lloj kronologjie në lëvizjen në muze. Fillojmë me pavijonin e parë, dytë, tretë, katërt, ka 6 pavijone dhe 2 holle.
Ky është pavijoni i parë dhe flitet për periudhën parapërgatitore të shpalljes së pavarësisë. Këtu kemi që nga fillimet e Rilindjes Kombëtare 1830 duke punuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Më pas fillojmë me ideologët e rilindjes, me krahun e armatosur të rilindjes që duke u kombinuar me njëri-tjetrin arritën ti thonë botës mbanë që Shqipëria nuk mund të rri më e varur nga pushtuesit. Kjo është harta që flasim edhe për 4 vilajetet që ishte ndarë territori shqiptar në kohën e Perandorisë Osmane.
Ky është pavijoni i dytë, flasim për ditët dhe muajt e shpalljes së pavarësisë. Tani do shkojmë tek pavijoni numër katër që është zyra e kryeministrit Ismail Qemali. Kjo është tavolina e punës, karrigia, mjetet e punës. Ne këtë e quajmë si thesarin e muzeut për arsyen e thjeshtë se pasi 90% të gjërave këtu janë origjinale. Në këtë zyrën këtu është bërë mbledhja e parë e qeverisë” .
Muzeu i Pavarësisë Kombëtare konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm nga turistët, studentët, studiuesit dhe nga qytetarët vendas. Mjediset e tij vizitohen më së shumti gjatë periudhës së verës.
Hyrja bëhet me anë të biletës, çmimi i së cilës është 300 lekë. Përqendrimin më të madh të turistëve e merr qyteti i Vlorës ku përveç historisë dhe rolit të saj në shpalljen e pavarësisë, ajo dallohet edhe për bukuritë natyrore.