Rreth nesh
Reporteri Investigativ është media online kushtuar artikujve, vëzhgimeve, reportazheve, analizave dhe investigimeve të studentëve të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Në këtë faqe do të gjeni problematika sociale, kulturore dhe ekonomike të raportuara në formë multimediale sipas këndvështrimit të studentëve.
Mbi Departamenin e Gazetarisë dhe Komunikimit
Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, i emërtuar fillimisht si Departamenti i Gazetarisë, është themeluar në vitin 1992 si pjesë e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Hapja e tij u bë menjëherë pas vendosjes së pluralizmit në vend, në përgjigje të nevojës për të përgatitur gazetarët e rinj të mediave të reja pluraliste.
Programi mësimor që zhvillohet në këtë departament i pajis studentët me njohuritë dhe shprehitë e nevojshme për t’u formuar si reporterë, drejtues dhe menaxhues mediash, marketues në media, specialistë të marrëdhënieve publike, etj., për të punuar si për median e shkruar, ashtu edhe për median elektronike audio-vizive, me një vëmendje të shtuar gjatë viteve të fundit në komunikimin virtual dhe teknologjitë e reja të informacionit.
Nisur nga tetori i vitit 2004, Departamenti ka adoptuar strukturën evropiane të kurrikulës, duke implementuar kriteret dhe kushtet e Kartës së Bolonjës.
Filozofia dhe strategjitë e ndjekura nga departamenti kanë sjellë rezultate të dukshme në disa drejtime:
- Në formimin e një trupe akademike të kualifikuar, të aftë dhe të përkushtuar për t’u ofruar studentëve dijet më bashkëkohore në fushën e medias dhe komunikimit. Aktualisht departamenti ka 15 pedagogë të brendshëm prej të cilëve:
- 2 të kategorisë profesor
- 9 të kategorisë lektorë (dy prej të cilëve janë edhe docentë)
- 4 të kategorisë asistent lektor (në proces mbyllje të procesit të doktoratës).
Trupa akademike e departamentit kombinon përvojën në fushën e mediave me përvojën kërkimore dhe përvojën në mësimdhënie. Ajo vjen nga përvoja të ndryshme jashtë dhe brenda vendit: nga 13 prej tyre 10 kanë studime universitare, të nivelit bachelor, master apo doktoral në: Angli, Francë, Gjermani, SHBA, Itali, Austri dhe Turqi.
Prej vitesh departamenti ka bërë pjesë të mësimdhënies gazetarët profesionistë më të mirë të vendit. Aktualisht, 32 gazetarë dhe specialistë të komunikimit japin mësim në departament, kryesisht në lëndët e karakterit praktik gjë kjo me përfitim të dyfishtë për studentët sepse nga njëra anë njihen drejtpërdrejt me aktorët mediatikë përmes përvojës që ata sjellin në departament, dhe nga ana tjetër krijojnë lidhje me agjencitë mediatike por edhe me agjencitë e tjera që ofrojnë profesione komunikimi, pra me tregun e ardhshëm të punës.