Nga Kamela Xhixhabesi
Jeta të përball me vështirësi të ndryshme, por detyra e secilit prej nesh është t’i bëjmë ballë pa e menduar mundësinë që të dorëzohemi. Ato te Ergysit dhe Harillës janë dy histori frymëzimi që të bëjnë të kuptosh se asgjë nuk mund të na ndalë përballë ëndrrave tona. Ne jemi shumë të vegjël faqe dëshirës së madhe për ta jetuar jetën siç duam. Gjatë takimeve me këta individë kam kuptuar se sa mirënjohës duhet të jemi ndaj çdo gjëje që kemi dhe që na rrethon dhe se sa fort duhet të punojmë për të realizuar ëndrrat që kemi thurur që kur kemi qenë fëmijë.

Është një ndër 11 mijë avokatët e Shqipërisë, por ka një ndryshim nga të tjerët, është i verbër. Ai ishte vetëm 13 muajsh kur humbi 100% të shikimit nga një sëmundje e quajtur “milingit encifalit”, ndërsa sot e gjen të ulur në sallat e gjyqeve. Ergys Hysi së bashku me shoqëruesin e tij personal ulet në vendin e tij dhe përfaqëson denjësisht klientët që i besojnë çështjet e tyre.
Zakonisht është e vështirë të bësh karrierë në profesionin e ëndrrave, por ai edhe pse me aftësi ndryshe prej 18 vitesh është pjesë e sistemit tonë të drejtësisë. Ndonëse i mësuar tanimë me vështirësitë dhe të papriturat në profesionin e tij, ai nuk e përshkruan të lehtë fillim e punës: “Vështirësia më e madhe ka qenë kur dola në punë vitin e parë, sa u ambientua dhe puna me mua dhe unë me punën.”
Edhe pse në pamundësi për të qenë fizikisht si gjithë të tjerët, kjo nuk ka qenë kurrë arsye e mjaftueshme për të hequr dorë nga ëndrrat e tij. Nëse po mendoni pjesën e diskriminimit duke e njohur shoqërinë ku jetojmë, Ergysi thotë se ende ekziston dhe pse është reduktuar me kalimin e viteve.
“Është pengesë e vogël, megjithatë kam mundur të çaj përpara. Ka shumëparagjykime me gjithë përpjekjet që kam bërë dhe janë bërë për personat me aftësi ndryshe, prap ka paragjykime. Përveç paragjykimeve as shteti jonë nuk ofron lehtësira për të. Nqs nuk do kishte një shoqërues që e shoqëron dhe e ndihmon gjatë orarit të punës, ai nuk do të kishte akses në monitorë, apo në listat e datave të gjyqeve që janë vetëm për njerëz të zakonshëm.
Pasioni dhe dashuria për profesionin e tij e kanë bërë të mos heqë dorë edhe kur i është dashur të përballet me situata të tilla. Ai tregon se ka patur raste ku i është dashur të bindë gjyqsorin dhe administratën se ishte avokat pasi atyre i dukej e çuditshme dhe mendon se mund të ishte familjar. Ndonëse tek ne, paragjykimet kundrejt personave me aftësi ndryshe vazhdojnë, Ergysi është i sigurt se vështirësitë më të mëdha, tanimë i ka kaluar. Prej shumë vitesh vazhdon i pandalur punën e tij dhe merret me çështje të ndryshme i pandikuar nga askush dhe asgjë.
“Kryesisht të gjykatës penale dhe civile por sa të vijnë dhe apeli, administrative, rregjistri tregtar, OJQ-të, çfarë të dali ne nuk themi jo.” – tregon ai.
Prej rreth 7-8 viteve ai ka nisur dhe aktivitetin privat. Katin e parë të shtëpisë nuk e përdor për banim por e ka kthyer në zyrëavokatie. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë sepse duhet goxha investim dhe mjetet e punës duhet të blihen vazhdimisht, por sëbashku me bashkëshorten e tij ata kanë vullnet dhe dëshirë të ecin përpara. “Merrem me hartim shkresash, kërkesa, kërkesë padie, jo studim dosjesh. Në zyrë më ndihmon bashkëshortja”.
Pra përveç aspektit profesional ai ndihet i plotësuar dhe në atë personal. Në një nga disa takimet e realizuara me Ergysin pata rastin të takoj dhe zonjën e tij. Ata janë njohur që në vitin 2006 nëpërmjet një mikeshe.
“Na ka prezantuar një shoqja jonë e përbashkët, dolëm thjesht për një kafe me të, pastaj të tjera gjëra i kemi zgjidhur vetë ne” – tha duke qeshur Bela, bashkëshortja e Ergysit.
Një çift me aftësi ndryshe, paragjykime, opinione të hidhura dhe të panevojshme të njerëzve, vështirësi të shumta gjatë jetës ama asgjë nuk ka mundur ta ndalë dashurinë e sinqertë dhe tëpafund të tyre. “Unë Ergysin e kam marrë për inteligjencë, për mend, nuk e kam marrë për bukuri. Bukuria shkon e vjen.” –shprehet sërisht Bela. Më tej në 2010 ata e vulosën dashurinë me ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të parë.
I lindur në librazhd, Ergysi ka kaluar një fëmijëri aktive, me shëitje dhe lojëra në natyrë, të cilën me nostalgji e përshkruan me një fjali të vetme: “Unë lumin e kam patur tek dera e shtepisë”. Ai ka filluar rrugen drejt dijes ne “Institutin e nxënësve që nuk shohin, nuk flasin e nuk dëgjojnë” në Tiranë ku kreu mësimet 8-vjeçare.
Më pas u rikthye në Librazhd dhe përfundoi gjimnazin e përgjithshëm të cilin e përkufizon si periudhën më të bukur të jetës së tij. Për të vazhduar më tej me studimet në Fakultetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan në degën Juridik për të cilën ka konkurruar në kushte të barabarta me të gjithë studentët e tjerë. As jeta studentore nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për të. Insistimi dhe dashuria e tij për dijen kanë bërë të mundur që ai të merrte çdo leksion në kaseta të incizuara, por gjithashtu me ndihmën e shokëve në raste të caktuara, ia ka dalë mbanë të mbaronte Fakultetin i renditur në radhët e studenteve ekselentë.
Av.Ergysi rend drejt dyerve të gjykatave së bashku me shoqëruesin e tij që në orët e para të mëngjesit dhe kalon aty një pjesë të konsiderueshme të ditës. Pasi mbyll përgjithësisht fluksin më të madh të punëve kthehet në shtëpi tek familja. Janë pikërisht ata të cilët Ergysi i dedikon pjesën tjetër të ditës dhe jetës së tij. “Për mua gjëja më e shtrenjtë është familja”– shprehet ai.
***

Kam filluar të besoj se fatkeqësitë që na ndodhin edhe pse na shkaktojnë dhimbje na bëjnë më të fortë. Mendoj se çdo e mirë dhe e keqe në jetë është e lidhur ngushtë me njëra-tjetrën. Djali që takova sot, jo vetëm që e besonte këtë gjë, por ai e ka përjetuar në realitet teorinë që përmenda në fillim.
“Ndoshta Zoti ka arsye pse i ka lejuar gjërat kështu. Çdo gjë nuk ndodh kot, ndodh për një arsye besoj”– shprehet Harilla Ibrahimi, djali 27 vjeçar nga qyteti i Vlorës.
Kisha parë në rrjete sociale faqen e një djali të ri i cili punonte si piktor. Gjatë një bashkëbisedimi me një mikeshë të përbashkët, marr vesh se pikërisht ky djalë i talentuar dhe i apasionuar që në dukje ndaj pikturës, kishte humbur dëgjimin që në moshë të vogël. Vendosa të shkoj personalisht në Vlorë për të takuar djaloshin në fjalë. Me nxitim siç kishte dalë nga puna erdhi në vendin ku kishim lënë takim. Munda ta dalloja nga larg, “Dy metra djalë” themi në përditshmëri, me rroba të bëra me pika bojrash dhe me aparate dëgjimi në vesh. E dija se ky ishte Harilla që po prisja, djali piktor që nuk dëgjon.
Me buzëqeshje dhe me një mirësjellje të jashtëzakonshme nisi tëmë tregojë për jetën e tij:
“Kur kam qenë tetë vjeç kam operuar bajamet. Isha fëmijëdhe nuk e kuptoja, por nganjëherë gëzoja se themi ne femijët kur sëmuremi nuk do vem në shkollë dhe s’e vrisja mendjen. Nëna dhe babai dukeshin seriozisht të shqetësuar sa u zunë me doktorët. Unë s’e kuptoja se një fëmijë 8 vjeçar ça mund të kuptonte?”
Në atë kohë Harilla nuk e dinte se pas atij operacioni që supozohet të jetë pa rrezik të madh, jeta e tij nuk do të ishte kurrë më e njëjtë. Ai nuk kujton detaje nga ajo periudhë, por tregon që një muaj pas operacionit nuk ka mundur të flasë edhe pse dëgjonte mirë. Pasi erdhi goja, Harilla thotë se dëgjimi i tij shkoj në zero brenda një periudhë të shkurtër kohore.
“Mbaj mend që dola në këmbë dhe dola direkt nga spitali, erdha në shtëpi. Kisha dhimbje në fillim nuk mund të flisja, prisja se po kalonte pak bëja të flisja dhe e kuptova që nuk flisja dot më. U tremba shumë. Një muaj më vonë kur më erdhi e folura gëzuam të tërë, por gradualisht në muajt në vijim më dobësohej dëgjimi deri sa tani jam në zero.”
Një djalë që humbi dëgjimin dhe babain brenda një viti, një nënë që mbeti e vetme me tre fëmijët e saj dhe dy vëllezërit i madhi dhe i mesmi i cili është i paaftë për të ndihmuar familjen pasi vuan nga një sëmundje mendore. Kjo është familja në të cilën u rrit Harilla mes hallesh e problemesh, mes një varfërie ekstreme, por me punë edhe vlera morale të cilat ai i pasqyron sot me sjelljen e tij. Pas humbjes së dëgjimit ai duhet të siguronte aparatin që të mund të ishte si të gjithë fëmijët e tjerë.
“Mamaja ka punuar dhe ka luftuar shumë sepse është lidhur me kishat katolike që janë të lidhur me Gjermaninë, me Italinë, me fondacione”.
Vetëm mbështetjen e nënës së tij ai ka patur si forcë për të ecur përpara.
“Humbja e dëgjimit, humbja e babait bëhen të gjitha bashkë dhe ndonjëherë të duket sikur ka marrë fund çdo gjëedhe kur je femijë”.
Dhe sikur të mos mjaftonte humbja e dëgjimit për faj të doktorëve që kurrë nuk mbajtën përgjegjësi për gabimin e tyreapo humbja e të atit, shoqëria shqiptare di të bëj të vetën më së miri. Ato ndjenja Harilla i kujton dhe sot kur thotë:
“I nënvlerësuar po, sepse kam qenë i përbuzur nga shoqëria, nga të afërmit, nga familja e babait.”
Asgjë s’mund ta ndalte hovin e një fëmije në atë kohë. Sigurisht që problemi i dëgjimit nuk u zgjidh 100% me vendosjen e aparatëve, por të paktën Harilla bënte një jetë si të gjithëmoshatarët e tij. Një ditë si një fëmijë shumë i lëvizshëm dhe adhurues i futbollit, ai dëmton aparatin e dëgjimit.
“Në klasë të 7-të mu prish aparati në futboll duke luajtur, nuk dëgjoja fare duhet të rrija brënda 3 muaj në shtëpi sa të vinte aparati tjetër. Nëna është nënë, bëhej merak, unë mërzitesha, nuk dija ç’të bëja. Fillova të vizatoja.”
Është pikërisht ky momenti kur ai zbulojë talentin e tij për pikturën dhe vendosin që donte të bëhej piktor. Sigurisht që nuk ka qënë e lehtë përballja me diskriminimin kryesisht nga tëafërmit e tij.
“Të gjithë nuk kishin besim sepse unë kam qenë problematik këta njerëzit mendonin se unë isha psikopat i sëmurë mendor por unë isha fëmijë.”
Kështu vetëm me mbështetjen e nënës së tij vazhdoj gjimnazin për pikturë në liceun artistik “Naim Frashëri” në qytetin e Vlorës dhe ndoqi ëndrrat e tij. Pas përfundimit të gjimnazit ai vendosi të vazhdojë studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Për fatin e keq të Harillës ai jeton në një vend ku nuk ka drejtësi, pasi pas 8 muajsh detyrohet të lërë shkollën dhe të kthehet ne Vlorë. Për shkak të gjendjes së keqe ekonomike ai shfrytëzonte pensionin e invalidit që merrte nga shteti për të vazhduar studimet. Individët që kanë kompetencat e duhura vendosën ta klasifikojnë Harrilën tek njerzit që dëgjojnë dhe t’ja heqin padrejtësisht pensionin e për pasojë të drejtën dhe dëshirën për të studiuar. Edhe pse universitetin nuk e përfundoj dot Harilla nuk hoqi dorë nga piktura. Sot ai bën piktura me porosi, bën grafiti të porositura nga bashkia e Vlorës, mozaik të ndryshëm, pikturon mure gjigand hotelesh dhe gjithçka falë vendosmërisësë tij.
Krahas pikturës Harilla ka dhe shumë pasione të tjera si poezia apo muzika. Në fletët e fletoreve ai mund të rreshtojëndjenjat e tij më të thella dhe me anë të kitarën mund të ndjejënotat dhe muzikën që s’do mundet kurrë ta degjojë siç duhet. Ndonëse aparatet e ndihmojnë gjatë përditshmërisë së tij nuk ia mundësojnë dot 100% të dëgjimit. Ai tregon se shpeshherë ështëkeqkuptuar me njerëzit apo konfliktuar me to për shkak se dëgjon tjetër për tjetër atë çka i thuhet. Mund ta vije re dhe në bisedën që bëmë që në disa raste të pakëta nuk e kuptonte çfarë i thoja në një moment gjatë takimit më kërkon falje dhe fut dorën në xhep nga ku nxorri disa bateri të vogla. Në fakt nuk e kuptova menjëherë për çfarë ishin. Më pas hoqi aparatin, i vendosi baterinë dhe m’u drejtua:
“Më fal, më mbaron bateria aparatit, duhet ta ndërroja”.
Një djalë që jeton dhe dashuron arti si Harilla sigurisht merr frymëzim nga diçka për të shkruar poezitë e tij, për të luajtur njëkëngë apo vizatuar një pikturë.
Ai thotë për batutë: “Mendoja se më frymëzonte gjyshja, por jo. Femrat janë ato që më frymëzojnë domethënë jo në çdo pikturë dhe në çdo shkrim por në shkrime që unë e ndjej veten që dua të jem ai që dua. Janë femrat dhe nuk janë çdo lloj femre, por femra që më ngacmojnë aty ku unë i vë në thonjëza misteret.”
Harilla dëshiron t’i drejtohet të gjithë njerëzve krenar dhe fitimtar, misterioz për të ardhmen dhe optimist për projektet e reja duke i thënë:
“Në momentin kur mendojmë se kemi prekur fundin dhe çdo gjë ka mbaruar, kur ndihesh i dëshpëruar dhe nuk ke më fije shprese, mos bëj asnjë veprim të gabuar. Thjesht jepi vetes kohë, përderisa je gjallë domethënë që ke ende shpresëpër ta ndryshuar situatën”.
Një mori ndjenjash më shoqëronin në ato momente por mbizotëronte respekti. Respekti ndaj këtij individi i dënuar nga mjekët, i përbuzur nga njerëzit por jo nga Zoti, i vuajtur, i rritur në varfëri, por me sjellje dhe vlera që nuk mund t’i gëzojnë shumë individë në shoqërinë tonë.